Gianni de Biasi kërkon maksimumin e pikëve në dy ndeshjet e radhës kundër Sllovenisë dhe Islandës, të cilat do të zhvillohen në kuadër të eliminatoreve për Botërorin ‘Brazili 2014’.
Të përzgjedhurit e Gianni De Biasit, sot kanë filluar grumbullimin për dy ndeshjet e radhës kundër Sllovenisë dhe Islandës, që do të zhvillohen në kuadër të eliminatoreve për Botërorin ‘Brazili 2014’.
Ndërkohë, selektori i ekipit kuqezi, ka theksuar se nga këto dy takime, të cilat do të luhen jashtë Shqipërisë, të marr maksimumin e pikëve.
“E rëndësishme është të arrijmë dy rezultate pozitive, nëse arrijmë dy fitore apo barazime pak rëndësi ka. E rëndësishme është që të lëmë pas kundërshtarët, por e kam thënë që nuk kënaqem me rezultat minimal por luajmë për maksimal”, ka deklaruar italiani në konferencën për media, transmeton Express.
Ai ka theksuar se ekipi kuqezi tani ka kualitet dhe duhet të përgatitet sa më mirë për këto dy ndeshje. Sipas italianit, skuadra shqiptare ka vazhdimësi në lojë dhe rezultat, të cilën nuk e ka pasur më herët.
“Skuadra ka treguar në ndeshjet e mëparshme dëshirën me të cilën kërkon të ndjekë ëndrrën për të arritur në botëror. Mendoj se çdo ndeshje ka historinë e vet dhe duhet përgatitur në mënyrën e duhur. Ne Slloveninë e njohim mirë dhe kemi parë edhe ndeshjen e fundit ndaj Islandës. Ka skuadër të mirë por si çdo ekip ka pikët e forta dhe të dobëta. Duhet të jemi të aftë të shfrytëzojmë këtë të fundit”, deklaroi ai.
Për këto dy ndeshje ekipi kuqezi ka disa mungesa, por De Biasi nuk mërzitet fortë pasi vlerëson futbollistët që ka në dispozicion për këto takime.
Shqipëria, me 6 shtator do të luaj kundër Sllovenisë. Kurse, pas katër dite ekipi kuqezi do të jetë edhe mysafir i Islandës.